Google ka lëshuar përditësimin më të fundit madhor i cili quhet Android 11 “R” dhe ka filluar të dërgohet në modelet e Pixel të vetë motorit të kërkimit. Prezantuar për herë të parë në muajin Shkurt, Android 11 sjell privatësi të shtuar, funksione të reja për bisedat, dhe kontrolle për pajisjet dhe internetin e gjërave.

Ja çfarë duhet të dini për këtë përditësim të Android.

Kur do ta marr?

Aktualisht vetëm nëse keni një smartfon Google Pixel ose OnePlus, Oppo, Realme dhe Xiaomi mund të instaloni versionin 11 të Android, diku version final e diku është version eksperimental por i aksesueshëm për masat.

Në muajt në vijim presim që Samsung ti bashkohet kësaj liste.

A kushton?

Përditësimet është falas nga Google. Nëse ju kërkohet të paguani për versionin e radhës Android atëherë është mashtrim.

A do të funksionojnë aplikacionet ekzistuese?

Android 11 nuk ndryshon mënyrën sesi sistemi operativ punon që do të thotë se aplikacionet do të vijojnë të funksionojnë njëlloj siç kanë bërë në vitet e fundit.

Përmirësimi i bisedave

Për shumë përdorues, telefonët janë vetëm për të komunikuar me një mori aplikacionesh. Këto aplikacione do të kenë hapësirën e tyre të dedikuar në seksionin e njoftimeve të telefonit duke e bërë shumë më të lehtë menaxhimin e bisedave pa interferuar me pjesën tjetër të njoftimeve.

Flluskat

Facebook ishte i pari që prezantoi këtë model dizajni me Messenger në 2013-ën duke i vendosur bisedat në formën e flluskave pluskuese në ekran dhe që qëndronin mbi çdo lloj ndërfaqe aplikacioni apo sistemit operativ. Duke shtypur mbi to, flluskat zbulonin bisedën e plotë për ta lexuar.

Google e ka marrë këtë veçori dhe integruar në sistemin operativ Android në mënyrë që çdo aplikacion komunikimi të veprojë njëlloj edhe pse disa duhet të përditësohen.

deja e këtij ndryshimi është që të vijoni të bëni atë çfarë jeni duke bërë duke pasur njëherazi akses të shpejtë në bisedën që jeni duke bërë me një të afërm apo mik.

Kontrollet e përmirësuara të përmbajtjeve media

Butonat e kontrollit të muzikës dhe videove do të jenë pjesë e një seksioni të dedikuar në panelin e njoftimeve duke qëndruar mbi njoftimet e tjera. Pjesë e këtij përditësimi është mundësia për të ndryshuar edhe daljen e muzikës si përshembull jeni duke përdorur kufjet dëshoni të kaloni altoparlant çka mund ta bëni me një buton.

Akses i shpejtë tek pajisjet inteligjente

Nëse keni drita dhe pajisje inteligjente në shtëpi, ky versioni i Android është për ju. Duke mbajtur të shtypur butonin e ndezjes do të merrni akses të shpejtë se një panel ku përveç butonave të rindezjes apo fikjes, do të keni edhe një koleksion butonash për të fikur dhe ndezur pajisjet inteligjente.

Butonët mund të ndryshohen në bazë të pajisjeve që përdorin më zakonisht.

Privatësi më e mirë

Mbështetur në përmirësime e privatësisë që bëri Android 10, Android 11 do të shtojë më shumë kontrolle kësaj here mbi lejet që u jepni aplikacione në mënyrë që ata ti shërbejnë qëllimit për të cilin janë ndërtuar.

Për shembull, aksesi në mikrofon, kamera dhe vendndodhje tashmë mund të jepet vetëm njëherë duke shmangur një leje të përhershme edhe kur nuk jeni duke e përdorur aplikacionin që kërkon akses në këto resurse.

Madje Android do të zerojë lejet që i keni dhënë një aplikacioni që nuk e keni përdorur prej kohësh në mënyrë që të mos aksesojë pjesë të telefonit nëse ju e keni lënë në harresë.

Përditësime më të shpejta

Google po bën më të mirën për të dërguar përditësime sa më të shpeshta sigurie dhe privatësie të cilat do ti bëjë të disponueshme në Google Play ngjashëm me aplikacionet. Kështu nuk keni pse të prisni që prodhuesi i smartfonit të dërgojë një përditësim të plotë nëse është një rregullim kritik sigurie. /PCWorld Albanian