Procesi është zhytur në pasiguri. Trump ka thënë vazhdimisht se afati i fundit për shitjen e aplikacionit për video të shkurtra është 15 shtatori, megjithëse data e saktë nuk ishte e përcaktuar në asnjërin prej dy urdhrave ekzekutivë, të lëshuar në muajin gusht.

Urdhri i parë, përmes së cilit SHBA-ja u ndalon kompanive amerikane transaksionet me kompaninë kineze ose filialet e saj, përcaktoi 20 shtatorin. Urdhri i dytë përcaktoi 12 shtatorin si datë deri kur ByteDance duhet të shesë aplikacionin TikTok për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare.

Kompanitë Microsoft Corp dhe Oracle Corp ishin ndër pretenduesit për blerjen e TikTok-ut.

Por, më 14 shtator, gjiganti teknologjik, Microsoft ka thënë se i është refuzuar oferta për blerje të aplikacionit kinez, TikTok.

Kompania që zotëron aplikacionin TikTok, ByteDance, është cituar t’i ketë thënë Microsoft-it se nuk do t’ia shesë kësaj kompanie operacionet e aplikacionit në tokën amerikane.

Në disa raportime të mediave, që kanë folur me burimet e tyre, është thënë se ByteDance ka përzgjedhur kompaninë Oracle në vend të Microsoft-it.

Mirëpo, TikTok dhe Oracle nuk kanë komentuar këto pretendime.

Të hënën, kanali televiziv shtetëror kinez CGTN citoi burime duke thënë se ByteDance nuk do të shiste operacionet e TikTok në SHBA tek Oracle ose Microsoft dhe nuk do t’i jepte kodin burimor të platformës asnjë firme amerikane.

Rrjedhja e afateve

Presidenti amerikan, Donald Trump u tha për herë të parë gazetarëve më 31 korrik se ai kishte në plan të ndalonte aplikacionin TikTok në Shtetet e Bashkuara brenda 24 orësh.

Por, më 3 gusht, pasi Microsoft zbuloi se ishte në bisedime për të blerë pjesë të TikTok, Trump tha se do t’i jepte ByteDance 45 ditë për t’ia shitur aplikacionin një kompania tjetër. Pastaj, më 6 gusht Trump lëshoi urdhrin ekzekutiv që ndalon transaksionet me ByteDance dhe filialet e saj në afat prej 45 ditësh.

Kush duhet ta miratojë marrëveshjen?

ByteDance dhe blerësit e mundshëm të TikTok-ut duhet të dalin me një marrëveshje të pranueshme për Komitetin për Investime të Huaja në Shtetet e Bashkuara.

Administrata Trump nuk dëshiron që ByteDance të ketë ndonjë interes të vazhdueshëm për TikTok dhe që një kompani teknologjike të jetë investitori kryesor për aplikacionin.

Ministria e Tregtisë e Kinës më 28 gusht tha se do të rishikojë listën e eksportit të teknologjisë. Ekspertët thanë se kjo masë do t’i jepte asaj mbikëqyrje rregullatore mbi çdo marrëveshje për TikTok.

Kjo do të thotë, që edhe nënshkrimi i Pekinit do të jetë i nevojshëm në ndonjë marrëveshje të mundshme për shitblerje, diçka për të cilën shumë vëzhgues dyshojnë se do të ndodhë menjëherë.

Rregullat thonë se mund të duhen deri në 30 ditë për të marrë miratimin paraprak për të eksportuar teknologjinë.

Javën e kaluar, kur u pyet se si rregullat mund të ndikojnë në marrëveshjen e TikTok-ut, ministria kineze e tregtisë tha se ndryshimet rregullatore nuk kishin në shënjestër kompani të veçanta, por riafirmoi obligimin që kanë ato për të zbatuar rregullat.

Çfarë do të ndodhë nëse nuk ka marrëveshje deri më 20 shtator?

Nëse afati nuk zgjatet, atëherë transaksionet me TikTok-un do të ndaloheshin, megjithëse ato nuk janë specifikuar.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se përmes këtij urdhri ekzekutiv, reklamimi në këtë platformë do të bëhej i paligjshëm dhe TikTok-u tashmë ka përgatitur reklamuesit për një masë të tillë.

SHBA-ja ka të ngjarë të ndalojë që TikTok-u të shkarkohet nga platformat online për shkarkimin e aplikacioneve.

Sidoqoftë, është e paqartë nëse përdoruesve ekzistues, të cilët tashmë kanë shkarkuar aplikacionin TikTok, do t’u ndalohet përdorimi i tij.

Kur u përball me një ndalim në Indi, TikTok zgjodhi të mbyllet vullnetarisht.

Cilat mundësi i mbeten TikTok-ut?

TikTok dhe ByteDance ngritën një proces gjyqësor në gjykatën federale të Los Anxhelosit më 24 gusht kundër urdhrit ekzekutiv të Trumpit, duke e quajtur atë një pretekst për të nxitur retorikën anti-Kinë.

Të premten, agjencia Reuters, raportoi se kompania kineze ByteDance më përpara do të preferonte ta mbyllte aplikacionin në SHBA sesa të bënte një shitje të detyruar. Agjencia citoi tri burime që kanë njohuri me këtë çështje.

Megjithatë, zyrtarët kinezë besojnë se një shitje e detyruar do të bënte që ByteDance dhe Kina të dukeshin të dobët përballë presionit nga Uashingtoni, thanë burimet, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, tha në një konferencë për media se Shtetet e Bashkuara po e keqpërdorin konceptin e sigurisë kombëtare dhe u kërkoi atyre të ndalonin shtypjen e kompanive të huaja.

Shqetësimet amerikane për sigurinë e TikTok-ut

Zyrtarët e SHBA-së kanë thënë se aplikacioni TikTok paraqet një rrezik kombëtar për shkak të trajtimit që u bën të dhënave personale.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e aplikacionit.

Sipas një ligji kinez të vitit 2017, kompanitë kineze kanë një detyrim të mbështesin dhe bashkëpunojnë në punën e inteligjencës kombëtare të Kinës.

TikTok ka thënë se ka 100 milionë përdorues amerikanë dhe 700 milionë në gjithë globin.

Ky aplikacion ofron mundësi të realizimit të videove të shkurtra argëtuese të njerëzve duke vallëzuar, duke imituar të tjerët apo duke sfiduar njëri-tjetrin në gara të ndryshme.

Kufizimet e TikTok-ut për komunitetin LGBT

TikTok ka pranuar se kufizon etiketime të lidhura me komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në disa vende.

Një raport i Institutit Australian të Politikave Strategjike (ASPI) tha se shumë etiketime për LGBT ishin “të ndaluar” në Bosnje dhe Hercegovinë, Jordan dhe Rusi.

TikTok tha se disa etiketimet janë kufizuar për të qenë në përputhje me ligjet lokale, raporton BBC.

Apliakconi TikTok tha se derisa disa kufizime janë bërë për të qenë në përputhje me ligjet lokale, të tjerat ishin të kufizuar sepse ato u përdorën kryesisht për të zbuluar përmbajtje pornografike.

Në qershor të vitit 2020, TikTok-u e quajti veten si mbështetëse të komunitetit LGBT, dhe kompania bëri donacione për organizatat që mbështesin personat LGBT.