Gjeneratën e re të orëve inteligjente Apple Watch Series 7 e pret një ridizajnim më i madh sesa keni menduar. Sipas Bloomberg, Series 7 vjen me këllëf 41mm dhe 45mm dhe si rezultat ekrane më të mëdha.

Kujtojmë se gjenerata e kaluar kishte ekrane këllëfe 40mm dhe 44mm. Me modelet e reja pritet të kemi edhe dizajne të reja të fytyrës.

Prej kohësh është spekuluar për këllëf më të mëdhenj për orët inteligjente të Apple por nuk ka pasur kaq shumë informacione. Raporti i fundit thotë gjithashtu se Series 7 do të ketë dizajn me skaje më të rrafshëta, ekrane më të rrafshëta, korniza më të holla dhe më shumë opsione ngjyrash.

Natyrisht një procesor më i shpejtë dhe teknologji e përmirësuar UWB (Ultra Wide-Band – teknologjia me të cilin Apple ofron çelësat dixhitalë të makinave) nuk do të mungojnë.

Apple në të kaluarën ka hedhur në treg orët inteligjente në Shtator së bashku me iPhone e rinj. Kështu pritja nuk do të jetë e gjatë. /PCWorld Albanian