Samsung Galaxy S4 është smartfon i kompanisë Samsung dhe bën pjesë në kuadër të serive S, që kjo kompani prodhon tash e sa kohë. Ky model doli në shitje në prill të vitit 2013. Varësisht prej ku blihet, vjen me disa versione, të cilat kanë dallime të vogla varësisht prej preferencave të konsumatorit. Në Kosovë përdorim më të gjerë ka versioni internacional (GT-19505 dhe GT-19500)

Dizajni i tij është pak a shumë si seria Galaxy S3 por, më i lehtë dhe më i hollë. Ngjashëm me modelet e mëhershme edhe Galaxy S4 është prej plastike, që sipas disa përdoruesve, të jep ndjenjën e një telefoni të lirë. Ky model vjen me ekran 5 inçësh, me rezolucion 1080x1920 dhe dendësi të pikselave 441ppi. Gjithashtu përmban teknologjinë Super Amoled, që njihet për ekran të shëndritshëm, teknologjinë “multitouch” që mundëson prekjen e ekranit me shumë gishta njëherësh dhe mbrojtje ekrani Gorilla Glass 3.

Kamera frontale ka 2MP, kurse ajo e prapme 13MP. Karakteristike për smartfonët e kompanisë Samsung është se kanë shumë mode të fotografimit. Disa prej tyre janë: Burstshot, Animated Photo (gif), Panorama, Dualshot (mund të bëhen foto me të dy kamerat në të njejtën kohë), Erraser, Drama etj. Kualiteti i fotografive është i knaqshëm. Galaxy S4 vjen me procesor Snapdragon 600 me fuqi procesorike 1.9 Ghz. Është 4 bërthamësh me 2GB Ram. Memoria e tij është 16GB e brendshme, me mundësi shtimi përmes SD kartelës deri në 64GB. Këto karakteristika bëjnë që ky smartfon të jetë ideal për multitask, lojra dhe gjëra tjera që kërkojnë fuqi procesorike.

Ky model smartfoni ka shumë veçori softuerike, ndërsa sa i përket sistemit operativ, vjen me sistemin JellyBean v4.2.2 i cili mund të përditësohet deri në v5.0.0 Lolipop. Ndërfaqja është standarde, pra TouchWizz. Përmbanë shumë sensorë, ndër ta edhe IR sensorin për kontrollim të pajisjeve elektronike si TV, Receivers etj. Sensorët e shumtë mundësojnë që aplikacionet që gjenden në këtë pajisje të ofrojnë mundësi kontrolli me gjeste, pra pa prekje ekrani. Bateria e Galaxy S4 ka fuqi 2600 mAh dhe është e ndërrueshme.

Në përgjithësi, kjo pajisje është mjaft e fuqishme dhe mund ti plotësoj nevojat e juaja të përditshme.

Autori: Kastriot Limani (Facebook)